Lëvizja bëri bujë të madhe në atë kohë. Shpresa e re e futbollit, Nejmar, kaloi tek Barcelona në 2013 në një transferim që u raportua se arriti në 88 milionë euro. Gjithsesi, përtej entuziazmit në pritjen e yllit të ri brazilian të Santosit, shpejt nisën akuzat për korrupsion nga agjencia që pretendonte se kishte 40 për qind të të drejtës së kartonit. Lajmi sot është që gjyqi i zhvilluar në Europë mori fund dhe se Nejmari u shpall i pafajshëm. Gjykata mbylli çështjen pasi më herët prokuroria kishte hequr dorë nga akuzat. Rreziku për yllin, që shkëlqeu fort në “Kamp Nou” përpara sesa të kalonte tek Paris SG në 2017, ishte vërtet i madh.
Prokuroria kërkonte 2 vjet burg si dhe një gjobë prej 10 milionë eurosh. Kompania e investimeve sportive, DIS, që e quante veten të dëmtuar, deklaronte se kishte humbur dhjetëra milionë pasi, sipas saj, Nejmari dhe Barcelona u morën vesh për të maskuar vlerën e vërtetë të kartonit, duke mos i dhënë pjesën që i takonte. Sidoqoftë, pas 7 vitesh çështja u mbyll me fund të lumtur për brazilianin, dhe prokurorët deklaruan se nuk gjetën prova për akuzat. Nejmari do të vazhdojë të shkëlqejë për Paris SG, me shpresën për të fituar trofe dhe për të harruar sa më shpejt zhgënjimin e eliminimit me Brazilin në Botëror.
Sfidanti.al