Ter Shtegen i lumtur tek Barça, por bisedimet për kontratën janë “në akull”!

Zakonisht në gjendje të tillë vendosen pijet për të qenë të freskëta kur të konsumohen, por edhe ushqime kur dëshiron të mos i prekësh me dorë për një kohë të gjatë. Po kur vendos “në akull” bisedimet për rinovimin e një kontrate në futboll, çfarë kuptimi ka? Një togfjalësh të tillë përdor tabloidi “Bild” për gjendjen e diskutimeve mes Barcelonës dhe njerëzve të portierit Ter Shtegen, që ende nuk kanë sjellë rezultat për kontratën e re.

“Unë jam shumë i lumtur tek Barcelona, – thotë gjermani, – çfarë mund të kërkoj më shumë se kaq. Kemi bërë një herë bisedime, por nuk është koha e duhur. Bisedime të dyta nuk ka pasur dhe në këtë kohë, kjo nuk është një temë”. Ndoshta portieri i kombëtares gjermane nuk ka dëshirë të largohet nga “Kamp Nou”, por edhe ai është i detyruar të luajë “në mbrojtje” për shkak të koronavirusit. Financat e katalanasve janë tronditur dhe thuhet se këtë periudhë kanë humbur 150 milionë euro, ndaj të dyja palët mesa duket nuk duan të nxitohen. Përderisa Ter Shtegen thotë se është i lumtur në Katalonjë, ne jemi të detyruar t’i besojmë.

Sfidanti.al