Struga fiton Kupën e Pavarësisë në Korçë, në një garë me “frena dore”!

Shkëndinë e Tetovës e zëvendësoi denjësisht. Struga mund të mos jetë skuadra më me emër e shqiptarëve të Maqedonisë, por kjo nuk epengoi aspak që të fitonte Kupën e Pavarësisë. Në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, struganët ia dolën fillimisht në gjysmëfinale ndaj Tiranës 1-0, dhe pastaj në përballjen fundore kundër Otrantit të Ulqinit, pas gjuajtjes së penalltive. Golin e vetëm të tyre nga loja e shënoi Migjen Sherifi në 12’ ndaj tiranasve që luajtën me shumë mungesa dhe nën drejtimin e ndihmëstrajnerit Marsio Aurelio.

Sipas traditës, edicioni I 9-të I Kupës u zhvillua me pjesëmarrjen e 4 ekipeve, nga një prej Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi. Në gjysmëfinalen tjetër, në mënyrë ndoshta të papritur, Otranti I Ulqinit mundi 2-1 Lirinë e Prizrenit, e cila besohet po ashtu se kurseu lojtarë për kampionatin e Kosovës. Prizrenasit kaluan në epërsi me rrjetën e Ron Gashit në minutën e 20-të, por Mehmed Divanoviç u bë protagonist më pas, duke përmbysur rezultatin. Ai realizoi të dy golat për ulqinakët në minutat 25 e 32.

Gara për 105-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u zhvillua jo me lojtarët më të mirë, ndërsa Shkëndija e Tetovës, pjesëmarrëse e përhershme në të, u tërhoq për shkak se dëshiron të përqëndrohet në kampionatin e Maqedonisë, ku ndodhet në vend të parë.

Sfidanti.al