Sporting, CR7 është emër i madh, por jo sa Zhoze Alvalade

Stadiumi i Sportingut të Lisbonës mban me të drejtë emrin e themeluesit, Zhoze Alvalades. Që nga viti 1949 klubi vendosi të nderonte njeriun që e krijoi në 1 korrik 1906, por duket se drejtuesit e tanishëm po mendojnë diçka tjetër. Gazeta portugeze “O Zhogo” njofton se Sportingu mund t’ia ndryshojë emrin stadiumit dhe t’i vendosë emrin e Kristiano Ronaldos.

Është e qartë se ky ndryshim nuk do të bëhet thjesht për të nderuar Ronaldon, pasi ylli portugez u largua nga klubi që në moshën 18-vjeçare, por ka më shumë arsye financiare. Emri CR7 është llogaritur që sjell të ardhura më të mëdha, dhe çdo klub në botë ka si parim të rëndësishëm përfitimet ekonomike.

Gjithsesi, edhe tek Sportingu e kuptojnë se nuk do të jetë e lehtë të hiqet emri i Zhoze Alvalades, ndaj kanë propozuar tri emra, “Arena CR7”, “Estadio Kristiano Ronaldo” dhe “Alvalade CR7”. Ndoshta, zgjidhet emri i tretë për të gjetur një kompromis, sepse që të heqësh Zhoze Alvaladen, është njësoj sikur Reali të hiqte emrin “Santiago Bernabeu” nga stadiumi i tij.

Sfidanti.al