“Viktoria dhe asgjë tjetër”, ishte paralajmërimi para ndeshjes, duke bërë lojë fjalësh me “viktoria” që ishte emri i rivalit në Champions, por edhe mund të përkthehet “fitore”. Reali i Lopetegit duhej të fitonte dhe të bindte ndaj çekëve, por bëri një paraqitje për t’u harruar, edhe pse luajti në “Bernabeun” e mbushur me dhjetëra mijë tifozë madrilenë.
“Viktoria, por asgjë më shumë” ishte komenti i “Markës” pas suksesit 2-1, me golat e Benzemasë e Marselos, dhe me tifozët që mbetën me gjak të ngrirë deri në fund. Rrjeta e Patrik Hrosovskit në 78’ rihapi duelin që mund të kishte përfunduar shumë keq.
“Kështu do të shpëtojë postin e tij Lopetegi?” ishte pyetja retorike e “Markës”. Gjithsesi, gazeta iu lëshua edhe lojtarëve duke shkruar se “disa prej tyre nuk e meritojnë të luajnë në “Kamp Nou” këtë fundjavë”. Vetë Lopetegi nuk iu përgjigj pyetjes nëse do të vazhdojë apo jo në detyrë, duke thënë se “këtë pyetje nuk duhet të ma bëni mua”.
Butragenjo u përgjigj për këtë, duke siguruar se klubi e konfirmon trajnerin edhe për më tej. Duket se edhe tifozët i bënë një “konfirmim me kusht”, edhe pse e vërshëllyen rëndshëm ekipin gjatë ndeshjes. Në sondazhin e “Markës”, rreth 53 për qind ishin që Lopetegi nuk duhej shkarkuar para “El Klasikos”.
Sfidanti.al