Një ditë para ndeshjes bëri një paralajmërim për tifozët duke i quajtur të pamjaftueshëm që Mançester Siti të ndihet i mbështetur për të fituar Championsin. Pep Guardiola doli i gabuar nga vetë skuadra e tij, që triumfoi 3-0 në Ukrainë ndaj Shahtarit të Donjeckut, edhe duke mos pasur thuajse fare tifozë.
Suksesi i dha mundësi Sitit të ngjitej në krye të renditjes së grupit F, pas barazimit dramatik të Lionit, 3-3 në fushën e Hofenhajmit. Ishte një dominim i madh i kampionëve të Anglisë, që nuk duan t’ia lenë Juventusit nofkën e “skuadrës më të fortë të Europës për momentin”.
Formacioni i Guardiolës triumfoi me lojë, duke pasur raste edhe për disa gola të tjerë, ndërsa trajneri katalanas zgjodhi të linte në stol yje të tillë si Aguero, Kompani, Uolker, Bernardo Silva apo Leroi Sane. Edhe pas këtij rotacioni të fortë, Siti nuk deshi t’ia dinte, ndërsa golat u shënuan nga David Silva, Ajmerik Laporte dhe Bernardo Silva (një minutë pasi hyri në fushë). Siti ka 6 pikë, me dy fitore e një humbje, ndërsa Lioni e ndjek me 5 (një fitore e dy barazime).
Sfidanti.al