Kristiano Ronaldo vendosi të bashkohej me këtë skuadër pasi një ndeshjeje kundër saj në Champions. Portugezi u bind për të shkuar tek Juventusi, pasi ishte dëshmitar se kampionia e Italisë dominoi Realin e tij në “Bernabeu” siç nuk kishte bërë askush tjetër, dhe vetëm fati e desh që të eleminohej.
Kjo kampione e Serisë A bëri një “deklaratë lufte” ndaj gjithë Europës në sfidën e luajtur në një tjetër stadium të famshëm, në “Old Traford” ndaj Mançester Junajtidit.
Nuk ishte edhe aq fitorja, thjesht minimale 1-0, por sidomos mënyra e lojës së italianëve që tregoi se formacioni i Masimiliano Alegrit dhe i Ronaldos mund të quhet favorit për të fituar Championsin këtë sezon.
Dominimi në pjesën e parë ndaj një skuadre të Zhoze Murinjos ishte thjesht çarmatosës, ndërsa Juventusi bëri të dukeshin gjëra të thjeshta, edhe kombinimet më të vështira. U duk sikur po luante Barcelona e kohëve të bukura, Ajaksi i dikurshëm apo Milani i holandezëve.
Mançester Junajtidi nuk është se nuk u përpoq, por nuk ishte aq i mirë, edhe pse luante përballë gati 75 000 tifozëve të tij. De Gea, Jang, Shou, Pogba, Matiç e Mata u përballën “dhëmb për dhëmb” me kundërshtarin, por nuk është e lehtë që një javë të grindesh në “familje”, dhe javën tjetër të dalësh në fushë për t’u përballur me një rival kaq të fortë.
Fitoi pra Juventusi dhe Ronaldo, ndërsa e vetmja notë negative për Kristianon ishte mungesa e golit, diçka me të cilën nuk ishte mësuar në Madrid, por që duket se po ambientohet në Torino. Në moshën 33-vjeçare, dhe në një skuadër të ndërtuar ndryshe, nuk mund të jetë i njëjti protagonist si gjatë gjithë karrierës.
Tashmë për portugezit rëndësi ka të fitojë dhe të shkojë drejt trofeut që e ka zotëruar me Realin për 3 sezonet e kaluara me radhë. Juventusi dëshiron të njëjtën gjë, të fitojë Championsin, gjë që e ka bërë për herë të dytë dhe të fundit në 1996.
Sfidanti.al