Një minutë çmendurie vendosi gjithçka. Spanja e para e grupit, Portugalia e dyta, dhe jehona, reagimet e kritikat nuk mund të mungonin. Ja mediat spanjolle. “Marka”: Rroftë VAR-i! Por, në këtë mënyrë nuk e fitojmë Botërorin! Njësoj edhe “AS”: Rroftë VAR-i! Spanja fiton grupin në një minutë të denjë për Hiçkokun! “El Mundo Deportivo” në Barcelonë: Faleminderit VAR! E kuqja kalon si e para në grup dhe do të luajë ndaj Rusisë në të tetat e finaleve! “Sport”: Të parët në një minutë çmendurie! VAR-i vendosi!
Në Portugali, toni ishte pak më ndryshe. “Magji dhe vuajtje, shkruan “A Bola”, shkëlqen Kuarezma, gabon Ronaldo, dhe kombëtarja na lë me zemër në dorë! Gazeta “Rekord”: Magjike dhe e vuajtur! Seleksioni lejon t’i shpëtojë vendi i parë në grup dhe tani përballet me Uruguajin! “O Zhogo”: Nga dera e pasme! Goli i madh i Kuarezmës dha iluzionin e lehtësisë, që kurrë nuk erdhi!
Spanja u kritikua ashpër për lojën, dhe trajneri Hierro ra dakord. “Nuk është kjo mënyra për të fituar Kupën e Botës, – tha ai, – mbrojtja më shqetëson, nuk mund t’i lejojmë rivalëve kaq shumë raste”. Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, i doli në krah Kristiano Ronaldos që pati një mbrëmje për t’u harruar. “Është normale që të jetë i mërzitur, kështu ndodh me të gjithë lojtarët e mëdhenj, – tha Santos, – por, është normale edhe të humbësh penallti”.
Ronaldo rrezikoi të merrte kartonin e kuq, kur goditi me bërryl një lojtar të Iranit. Gjyqtari u këshillua me VAR-in, por i dha yllit të Realit vetëm të verdhë. Kjo detyroi trajnerin e Iranit, Karlos Keiroz, që të shprehej se “rregullorja është e qartë, duhej dhënë karton i kuq, por mesa duket lojtarë si Mesi apo Ronaldo trajtohen ndryshe”. Kristiano rrezikonte të mungonte ndaj Uruguajit, në një ndeshje për jetë a vdekje në të tetat e finaleve.
Sfidanti.al