Mesi nuk ikën nga Botërori, Argjentina fitoi dhe falenderoi Kroacinë

U përcaktuan edhe dy çifte të tjera, ndërsa drama ishte sërish e madhe. Do të kemi Francë-Argjentinë e Kroaci-Danimarkë në të tetat e finaleve të Botërorit, një mbrëmje pasi Spanja e Portugalia e fituan llotarinë e tyre. Ishte mbrëmja e Argjentinës dhe e Lionel Mesit, që e mbajti fjalën për të dhënë maksimumin e për ta mbajtur ekipin në Rusi.

Jo vetëm sepse shënoi gol, por sidomos sepse luftoi deri në fund, në një sfidë dramatike ndaj Nigerisë në Shën Peterburg. Superylli I Barcelonës u duk se nuk ishte mirë fizikisht, por nuk u dorëzua. Trajneri Sampaoli kishte bërë ndryshime, me Higuainin në vend të Agueros, dhe kjo u duk se dha rezultat, por vetëm deri në një farë mase.

Pas një pjese të parë të mirë, argjentinasit u shpërfytyruan në të dytën. Nigeria nuk ngurroi të barazonte, rezultat që e kualifikonte. Jo vetëm kaq, por ishte pranë fitores, duke rrezikuar disa herë. Në një moment u duk se u penalizua nga gjyqtari që përdori VAR-in, por nuk dha penallti për prekje të topit me dorë në zonë nga argjentinasit.

Në fund, përvoja dhe fati ishin me ekipin e Mesit, edhe pse goli erdhi nga mbrojtësi Markos Roho. Sidoqoftë, heroizimi argjentinas mund të mos kishte pasur vlerë nëse Kroacia nuk do të kishte bërë detyrën. Edhe pse me ndryshime në formacion, skuadra ballkanase ishte sërish e fortë duke mundur 2-1 Islandën. Badelj e Perishiç ishin autorët e golave, ndërsa për islandezët barazoi përkohësisht Sigurdson me penallti.

Islandës I duhej fitorja për t’u kualifikuar, por mbeti shumë larg saj. Kroacia mbylli grupin me 7 pikë, Argjentina me 4, Nigeria me 3 dhe Islanda me vetëm 1 pikë.

Sfidanti.al