Sofia Kenin, amerikania nga Moska është ylli i ri i tenisit botëror!

Hapni rrugën sepse tashmë ka mbërritur. Sofia Kenin është ylli më i fundit i tenisit të femrave që triumfoi në Arenë e famshme “Rod Lejvër” të Melburnit. Vajza trupvogël 21-vjeçare, me nënshtetësi amerikane, por e lindur në Moskë, arriti triumfin më të madh të karrierës, fitoi titullin Grand Slem në Australian Open.

Pasi theu zemrën e tifozëve australianë, duke mundur vajzën vendase Eshli Barti, Kenin ia doli edhe në finalen e madhe ndaj spanjolles Garbinë Muguruza. Kenin, tashmë një amerikane e vërtetë e formuar në Florida, përballoi humbjen e setit të parë, 4-6, duke reaguar ndaj kundërshtares më të madhe në moshë, më të famshme, dhe që kishte shumë më tepër përvojë. Ajo fitoi dy sete radhazi, madje me lehtësi, 6-2 e 6-2, duke fituar finalen e saj të parë të një Çmimi të Madh.

Me këtë sukses, tenistja që është e 15-ta në botë, fitoi 2.8 milionë USD, duke u bërë papritur e pasur, dhe siç është shprehur vetë, për të blerë një apartament të ri për familjen në Manhatan. Triumfi i Keninit ishte një shpërblim për babanë dhe trajnerin e saj, Aleksandrin, që emigroi nga Rusia në Amerikë që kur vajza ishte disa muajshe, dhe sakrifikoi duke punuar si taksist për të përballuar karrierën e tenisit.

“Kjo ishte një ëndërr e realizuar për mua, – u shpreh Sofia më pas, – ishte shumë e vështirë, por unë besova dhe pata fat. Nëse ke një ëndërr, duhet të përpiqesh ta realizosh sepse mund t’ia dalësh. Këto kanë qenë dy javët më të bukura të jetës sime”. Kenin u bë kampionia më e re në Australian Open që nga Maria Sharapova në 2008, ndërsa pas fitores do të ngjitet në vendin e 7-të në renditjen botërore, mbi legjendën amerikane, Serena Uilliams.

Sfidanti.al