Një vit më parë, dëmtimi e bëri që të humbiste jo pak besimin tek vetja. Sloun Stefëns vuajti jo pak, ajo theu këmbën, dhe u tërhoq nga US Open, por 365 ditë kalojnë shpejt dhe ja tani ajo u bë kampione pikërisht në US Open.
Rikuperimi ishte i vështirë, por amerikania 24-vjeçare ishte e vendosur për t’ia dalë. Me siguri i ka menduar të gjitha sakrificat kur e mbylli si “tren ekspres” finalen ndaj patriots së saj, Medison Kejs, duke triumfuar në vetëm 61 minuta, 6-3 e 6-0.
Stefëns ishte në vendin e 83-të në botë kur filloi turneu Grand Slem, dhe u bë tenistja me renditjen më të ulët që mbërriti në një finale dhe që fitoi një titull Grand Slem, pas Kim Klajstersit që u kthye në vitin 2009 pas lindjes së një fëmije. Në US Open, Stefëns është rekordmene absolute për këtë.
Sfidanti.al