Skouls nuk ia fal Murinjos: Edhe Mesi do dështonte me ty!

Disa muaj më parë, Pol Skouls dhe Zhoze Murinjo u përplasën verbalisht për shkak të Pol Pogbasë. Ish-ylli i Junajtidit kritikoi yllin e tanishëm të “djajve të kuq”, ndërsa trajneri i doli në krah francezit sipas mënyrës së tij, duke thënë se “nuk është faji i Pogbasë që fiton më shumë para sesa Skoulsi kur luante futboll”.

Skoulls nuk ia harroi ofendimin portugezit, dhe si analist televiziv, nuk lë rast pa e sulmuar. Goditja e fundit ishte sidomos e ashpër. “Edhe nëse ne do të merrnim Lionel Mesin, ai nuk do ta kishte të lehtë me këtë trajner, – tha ish-numri 8 i Sër Aleks Fergusonit, – çdo lojtar që vjen tek ne, e ka të vështirë”.

Gjykimi i anglezit ishte që lojtarët, me shumë gjasë, po luajnë qëllimisht keq, që të shkarkojnë trajnerin. Më pas, Skouls analizoi disa nga yjet. “Sançez është tepër egoist, – tha ai, – Pogba është “gjel” dhe luan sa për t’i treguar të tjerëve sesa i mirë është, pastaj ia var”. Pol Skouls përfundoi me deklaratën se “Murinjo i vjetër nuk është më, ai është zëvendësuar me një njeri që ankohet shumë dhe nuk merr dot maksimumin nga lojtarët e tij”.

Sfidanti.al