Duket qartë se përfaqësuesja e Gjermanisë ndodhet në krizë që, në fakt, nisi që në fillim të Botërorit të fundit të Rusisë, ku Gjermania për herë të parë në historinë e saj u eliminua që në fazën e grupeve. Dhe kjo krizë po vazhdon edhe tani në Ligën e Kombeve, në të cilën gjermanët nuk kanë arritur ende të shënojnë gol dhe as të fitojnë (0-0 me Francën dhe humbje 3-0 ndaj Holandës).
Në këto kushte, kritika të ashpra po lëshohen në adresë të trajnerit Joakim Lëv, por edhe të lojtarëve që, sikurse thotë një nga lojtarët kryesorë, Mats Humels, po kalojnë përmes një ferri të vërtetë.
“Momentalisht, neve po na kritikon çdokush që nuk përton të flasë, po na qëllojnë me të gjitha armët. Më vjen keq se të gjithë, si opinioni publik, ashtu edhe tifozët, po na trajtojnë neve lojtarëve të përfaqësuses si të ishim amatorë, njerëzve u mungon respekti ndaj nesh. Ne ende jemi ndër më të mirë në botë dhe njerëzit nuk duhet të na trajtojnë neve si amatorë’, vuri në dukje Humelsi.
Sfidanti.al