Ndjenjat nuk kanë si bëhen më të kundërta. Nëse Skocia është në qiellin e shtatë, Spanja padyshim që është në “ferr” pas rezultatit 2-0 për vendasit në Gllazgou. Stadiumi “Hampden Park” përjetoi një nga ato mbrëmje që dukej se ishin harruar një herë e mirë, ndërsa “malësorët” skocezë dominuan ish-kampionët e botës dhe të Europës. Mesfushori i Mançester Junajtidi, Skot Mektominai shënoi në 7’ dhe 51’, ndërsa “Furitë e Kuqe” ishin katastrofë pas pushimit. Mediat skoceze natyrisht që ishin në delir. “Herald” shkruan në spanjisht: Rroftë Skocia! Në kopertinë është fotoja e autorit të të dy golave, mesfushorit të Man. Junajtidit, Skot Mektominai. Mediat e tjera kishin thirrjet gjithashtu në spanjisht si “Ole”, apo të tjera duke lavdëruar Mektominain si tepër të fortë për Spanjën. Tabloidi “San” në Skoci komenton me fjalët e lojtarëve se “ne iu thamë se ne do ta bënim këtë”. Komenti ishte: Fitorja ndaj Spanjës ishte thjesht një çmenduri!
Në Spanjë është kohë e gjyqeve dhe e kritikave. “Kush është plani?”, pyet e përditshmja “Marka”, Skocia turpëroi një Spanjë që nuk funksionoi në asnjë linjë! “Anija jonë u mbyt në Gllazgou, – komenton gazeta tjetër madrilene, “AS”, – Spanja bie në Skoci pas një pjese të dytë të tmerrshme!” Trajneri Luis de la Fuiente u kërkoi falje tifozëve, duke pranuar përgjegjësinë e tij, por shprehu besimin se ky ishte vetëm fillimi dhe se e ardhmja do të jetë më e mirë. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë me këtë Spanjë, që vetëm një vit e ca më parë jepte shpresë me trajnerin Luis Enrike duke qenë gjysmëfinaliste e Europianit dhe finaliste e Ligës së Kombeve, por që po zhgënjen plotësisht duke nisur që nga Kupa e Botës në Katar.
Sfidanti.al