Nuk e tregon thjesht fakti që fitoi. Mançester Siti është kampion në fuqi në Angli, dhe ka arritur 17 suksese deri tani, veçse ai i arritur ndaj Uolvesit ishte disi i veçantë. Formacioni i Pep Guardiolës triumfoi 3-0 dhe u afrua në 4 pikë diferencë me Liverpulin kryesues, duke lënë në stol disa nga lojtarët më të mirë.
Kun Aguero, rekordmeni i golave për klubin, Kevin De Brujn, mesfushori më i mirë, dhe Rijad Mahrez, nuk ishin titullarë. Si mund të konkurrohet një ekip që mban në stol lojtarë, të cilëve u vlen kartoni gati 170 milionë euro? Këtë mund ta dijë Liverpuli i trajnerit Jurgen Klop që mbetet ende në vend të parë në Angli, por që nuk do ta ketë aspak të lehtë të konkurrojë deri në fund.
Jo më kot, parashikimet e japin ende Sitin si më të favorizuar sesa të kuqtë, dhe kjo sepse trajneri Guardiola ka aq shumë talent në skuadër, sa që mund të bëjë rotacion e të shlodhë yjet. Klop, ndërkaq, do ta ketë të vështirë të lerë në stol Salahun, Van Dajkun apo Firminon.
Këtë e theksoi edhe gazeta “Deili Meil”, që shkruante se “Liverpuli nuk duhet të shqetësohet nga shkalla e fitores së Sitit, por nga vështrimi i atyre që ishin në stol”. Tabloidi e shoqëroi titullin, me një foto ku tregoheshin Aguero, De Brujn dhe Mahrez, aspak të lumtur që ishin lënë rezervë.
Gjithsesi, Guardiola nuk u mor me këtë çështje, ndërsa foli pas ndeshjes. “Jam i lumtur me fitoren, pasi Uolvesi kishte arritur rezultate të shkëlqyera së fundmi, – tha trajneri, – le të mos shikojmë tabelën e renditjes, dhe as kalendarin e Liverpulit, pasi po bëmë kështu, rrezikojmë të shpërqëndrohemi e të humbasim. Ky do të ishte fundi”.
Ndaj Uolvesit shënoi dy herë sulmuesi i ri brazilian, Gabriel Zhezus, ndërsa një rrjetë ishte autogol. Vendasit u ndihmuan edhe nga fakti se Uolvesi mbeti me 10 lojtarë që në minutën e 19-të, kur Uilli Boli u përjashtua me karton të kuq. Me këtë sukses, Siti u ngjit në 53 pikë, 4 më pak se Liverpuli në renditjen e Premier Ligës, pas 22 ndeshjeve të luajtura.
Sfidanti.al