Dortmundi s’ka të ndalur me talentet, merr një nga Boka

Leonardo Balerdi është emri më i fundit që i shtohet Borusias. Vetëm 19 vjeç, ai përbën një tjetër etapë në planin e trajnerit Lysien Favre, për të krijuar një ekip për shumë vite. Balerdi i kushtoi Dortmundit 15.5 milionë euro, një shifër jo e vogël, por gjithsesi jo e jashtëzakonshme, dhe që do të duket “badihava” kur klubi gjerman të mendojë për ta transferuar. Për mbrojtësin e Bokës mendoi edhe Barcelona në vitin 2018, ndonëse më pas bëri zgjedhje tjetër.

Dortmundi i sotëm ka një numër të madh lojtarësh të rinj, dhe Balerdi i shtohet atyre, ndërsa trajneri Favre ka ndërtuar një skuadër me entuziazëm, energji dhe lojë të bukur, ndonëse jo me shumë përvojë. Dortmundi prej kohësh ka punuar mirë me moshat e reja, dhe ka ditur të përfitojë, mjafton të kujtojmë sesa fitoi nga Dembeleja që shkoi tek Barcelona, apo tani nga Pulishiçi që do të shkojë tek Çelsi.

Sfidanti.al