Do të mbahet mend si një nga njerëzit e vërtetë. Sporti shqiptar dhe peshëngritja në veçanti kanë humbur sot një nga personalitetet më të spikatur, ish-kampionin si sportist e si trajner, Ferid Berberi. Në moshën 75-vjeçare ai u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë. Ferid Berberi ka qenë 7 herë kampion i vendit në karrierën e tij si peshëngritës, ndërsa më pas ishte një trajner i suksesshëm. Me Dinamon gjithashtu arriti fitore, ndërsa stërviti emra të njohur të shtangës shqiptare si Aleksandër Kondo, Agron Haxhihyseni apo Muharrem Berisha.
Berberi ishte për shumë vjet trajner i kombëtares së peshëngritjes, ku drejtoi edhe sportistë si Mirjan Hakani, Pirro Dhima dhe Luan Shabani, ndërsa punoi edhe si sekretar i përgjithshëm i Federatës shqiptare të këtij sporti. Për kontributin e tij të madh në sport, presidenti i Republikës, Ilir Meta, e dekoroi si “Kalorës i Urdhërit të Flamurit”. Vitet e fundit, Ferid Berberi u tërhoq nga jeta sportive, ndërsa shokët, miqtë, sportistët dhe tifozët do ta mbajnë mend gjithmonë si një nga legjendat e shtangës.
Sfidanti.al