Oreksi vjen duke ngrënë dhe Shqipëria pret sërish sukses. Dy peshëngritës me emër të madh si Briken Calja dhe Erkand Qerimaj do të konkurrojnë sot në Kampionatin Europian që zhvillohet në Tiranë, ndërsa kategoria e tyre është deri në 73 kg. Në orën 20:00 në Sallën Olimpike “Feti Borova” do të nisë konkurrimi në baterinë A të kësaj peshe. Calja është favorit absolut për medaljen e artë dhe për titullin europian. Shtangisti vjen në Europian si nënkampion i botës në këtë peshë dhe si kampion i botës i stilit të shkëputjes, tituj të fituar në Uzbekistan dhjetorin e kaluar. Po ashtu, ai bëri një paraqitje të shkëlqyer në Lojrat Olimpike “Tokio 2020” duke zënë vendin e katërt në dygarësh gjithnjë në peshën deri 73 kg, duke qenë i katërti edhe në stilin e shtytjes. Shtangisti 32-vjeçar nga Shtërmeni doli kampion i Europës në 2018 në Rumani dhe synon ta përsërisë këtë triumf.
Edhe Erkand Qerimaj ka ambiciet e veta. Shkodrani ka zbritur në peshë duke ruajtur formën dhe beson se në kategorinë deri 73 kg ka më shumë mundësi për medalje. Gjatë karrierës së tij, Qerimaj ka dalë kampion i Europës për të rinj e të rritur si dhe ka fituar medalje ari në Lojrat Mesdhetare. Tifozët shqiptarë shpresojnë që dy peshëngritësit të ndjekin shembullin e Evangjeli Velit që doli kampione e Europës për femra në peshën deri 55 kg.
Sfidanti.al