Finalja e sotme në Arenë: Laçi do Kupën, por Vllaznia synon edhe Europën!

Sezoni në vend përfundon sot. Flasim për futbollin e ekipeve shqiptare që, pas mbylljes së Superligës, do të luajnë edhe sfidën përmbyllëse, finalen e Kupës së Shqipërisë. Në orën 19:00, Vllaznia e Laçi do të jenë përballë në “Arenën Air Albania”, dhe në lojë është trofeu i dytë më i rëndësishëm i vitit. Gjithsesi, për shkodranët finalja e sotme vlen më shumë sesa një trofe, pasi ekipi i trajnerit Mirel Josa nuk e siguroi dot kualifikimin për në Europë nga kampionati. Kjo mund të arrihet nëse fitohet kupa, ndërsa klubi ka vendosur 10 milionë lekë të rinj shpërblim për ekipin në rast suksesi. Për fat, mungesa nuk do të ketë.

Laçi i trajnerit Shpëtim Duro është i sigurt në Ligën e Konferencës pasi doli nënkampion në Abisnet Superligë. Gjithsesi, kurbinasit do të përpiqen ta fitojnë kupën, ndërsa cilësohen favoritë për vetë sezonin që kanë zhvilluar. Laçianët do të jenë përballë ish-trajnerit të tyre të këtij edicioni, Mirel Josa, ndërsa Duro nuk ka mungesa dhe mund të luajë me formacionin më të mirë. Pritet prani e madhe e tifozëve të të dyja skuadrave, dhe të dy klubet kanë vendosur autobusë falas në dispozicion të tyre.

Sfidanti.al