Në përfundim të ndeshjeve në grupe në Ligën e Kampionëve, janë kualifikuar 15 skuadra nga 16. Mbetet vetëm ndeshja Atalanta-Vijarreal, sot në orën 16:30, për të përcaktuar ekipin e 16-të. Ndeshja nuk u luajt mbrëmë për shkak të dëborës. Shorti për turin e dytë do të hidhet në 13 dhjetor në orën 12:00. Në këtë short, nuk lejohet të luajnë skuadra nga i njëjti vend, pra Çelsi nuk ndeshet dot me Sitin, Liverpulin e Junajtidin, apo Juventusi me Interin, po ashtu Atletiko e Madridit ndaj Realit. Ndeshjet e para do të luhen në 15, 16, 22 e 23 shkurt, ndërsa ndeshjet e kthimit do të jenë në 8, 9, 15 e 16 mars 2022.
Për çerekfinalet, shorti do të hidhet në 18 mars, dhe ndeshjet e para do të luhen në 5-6 prill, e ato të kthimit në 12-13 prill. Për gjysmëfinalet, shorti hidhet gjithashtu në 18 mars pas atij çerekfinal. Ndeshjet e para gjysmëfinale do të jenë në 26-27 prill, dhe ato të kthimit në 3 e 4 maj 2022. Finalja do të jetë në stadiumin “Krestovskij” në Shën Peterburg, Rusi.
Skuadrat e kualifikuara
Vazo 1: Mançester Siti, Liverpuli, Ajaksi, Reali i Madridit, Bajerni i Mynihut, Mançester Junajtidi, Lila, Juventusi.
Vazo 2: Paris SG, Atletiko e Madridit, Sportingu i Lisbonës, Interi, Benfika, Vijarreali/Atalanta, Salcburgu, Çelsi.
Sfidanti.al