Tuheli i nxehur, Çelsi mund të përballet me Realin apo Bajernin!

Nuk është se ia kanë frikën kujt kampionët në fuqi të Europës, por nëse janë kaq të thyeshëm, kjo do të thotë se mund të munden apo të eleminohen. Duke nisur nga raundi i ardhshëm, Liga e Kampionëve do të jetë me eleminim direkt, pra gabimet do të jenë fatale, ndaj edhe trajneri i Çelsit, Tomas Tuhel, e paralajmëron seriozisht skuadrën e tij që të mos e bëjë më kurrë atë që bëri ndaj Zenitit në Rusi. Blutë po udhëhiqnin 3-2, porse në 94’ vendasit barazuan me golin e shënuar nga Magomed Ozdojev.

“Ne kemi qenë skuadra më e mirë sepse ne patëm përqëndrim të lartë dhe investuam shumë energji për të qenë më të mirët, – tha trajneri gjerman, – këtë herë, ne ishim shkëlqyeshëm në 15 minutat e para, por pastaj i harruam detyrat tona. Kur ne e ulim ritmin 10 për qind, dhe përpiqemi të mbrojmë rezultatin, aty ndëshkohemi. Na ndodhi ndaj Uest Hemit, na ndodhi edhe sot. Ne sërish reaguam dhe përmbysëm rezultatin, por kur jemi në avantazh sërish harrojmë”. Timo Verner shënoi 2 gola dhe Romelu Lukaku realizoi një (në bashkëpunim me Vernerin), por vendi i dytë në grup do të thotë se Çelsi mund të ketë përballë në raundin tjetër Realin ose Bajernin.

Sfidanti.al