Alegri ka kritika për Juven, pas “dhuratës” nga Zeniti në Champions

Fitorja është fitore, aq më tepër që një garë me pengesa e përfundoi në vend të parë. Juventusi, pavarësisht katastrofës 0-4 në Londër me Çelsin dhe kritikave të ashpra, ia doli të “priste i pari finishin” në grupin e Championsit pas kombinit të rezultateve në ndeshjet e fundit. Fitorej 1-0 me Malmoen në Torino dhe “dhuratë” e Zenitit në Shën Peterburg që i mori barazimin 3-3 Çelsit, kampion të Europës. Trajneri bardhezi, Masimiliano Alegri, natyrshëm që nuk ishte plotësisht i kënaqur.

“Jam i lumtur për vendin e parë dhe për përgjigjen që dhanë djemtë pas vështirësive që patëm, – tha ai, – gjithsesi nuk mund të luajmë siç bëmë pas pushimit, kur e humbëm përqëndrimin. Po ashtu, humbëm raste, ndaj duhet të jemi më të saktë, me përqindje më të lartë realizuese. Pjesa e dytë nuk më pëlqeu. Ndaj Venecias duhet një Juve më e mirë për të fituar”. Beteja e “Zonjës së Vjetër” vazhdon në Serinë A, ku ndiqet kualifikimi për në Champions, ndërsa në Ligën e Kampionëve edhe Alegri e di se ekipi i tij nuk cilësohet ndër favoritët.

Sfidanti.al