Në Itali nxisin Milanin të gjejë mbështetje për Ibrahimoviçin

E pranoi edhe vetë Stefano Pioli që lojtarët e tij nuk arritën ta ndihmonin siç duhet veteranin suedez, dhe duket se ky konkluzion është edhe i të tjerëve. Milani u eleminua nga Championsi dhe nga Europa sepse nuk pati ndonjë kampion, apo më shumë kampionë për të mbështetur Zllatan Ibrahimoviçin, që gjithnjë di sesi t’i luajë këto lloj ndeshjesh, siç ishte kjo vendimtare ndaj Liverpulit apo të tjerat në grup. “La Gazeta delo Sport” shkruan se Ibrahimoviçi e dinte se ndaj Liverpulit do ta kishte të vështirë të ishte protagonist kryesor për shkak të moshës, sepse anglezët luajnë shumë shpejtë, me ritëm të lartë dhe agresivitet, diçka që ai nuk mund ta barazojë për shkak të moshës. Për këtë arsye, cilësitë e tij duhen mbështetur nga lojtarë të nivelit të lartë që të kombinojnë me suedezin për të goditur mbrojtjen kundërshtare. Po ashtu, duhet një “trashëgimtar”. Nuk dihet sesa do të jetë në gjendje Milani që ta realizojë këtë gjë, sepse duhen shpenzime, ndërsa priten lëvizjet e drejtuesit Paolo Maldini.

Sfidanti.al