E pamundur që ky nivel të mos bjerë në sy. Armando Broja është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm jo vetëm për Sauthemptonin, por edhe për Çelsin. Mediat angleze raportojnë se klubi londinez po mendon që ta mbajë në ekip sulmuesin shqiptar për sezonin e ardhshëm. Nuk pritet që trajneri Tuhel ta thërrasë në janar, të paktën sipas këtyre raportimeve, por lajmi i madh është që Broja cilësohet i denjë për të mos u huazuar sërish në korrik 2022.
Futbollisti i kombëtares vlerësohet lart për talentin e rrallë, që e ndihmon të bëjë diferencën tek Sauthemptoni, edhe pse theksohet se 20-vjeçari ka ende nevojë të përmirësohet në disa elementë të lojës së tij. Statistikat nuk gënjejnë dhe Broja është një nga dy 20-vjeçarët më të mirë të Premier Ligës, bashkë me Mejzën Grinvudin e Mançester Junajtidit, ndërsa shënon në shumicën e ndeshjeve ku është titullar. Jo vetëm kaq, por rendimenti i shqiptarit është tepër i lartë, me 1 gol të shënuar në 4 gjuajtje.
Kjo do të thotë 25 për qind efikasitet në raportin gola/gjuajtje, që është shumë më i lartë sesa ai i shënuesve të tjerë të ekipit, Çe Adams dhe Adam Armstrong, që e kanë përkatësisht 14 dhe 5 për qind. Është mahnitës fakti që Broja ka rendiment më të mirë edhe sesa lojtarët më të mirë të Premier Ligës si Mohamed Salah i Liverpulit me 21 për qind dhe Romelu Lukaku me 15 për qind. Problemi i vetëm i 20-vjeçarit deri tani duket me trajnerin e kombëtares shqiptare, Edi Reja, i cili sërish e kritikoi për sjelljen e tij. Broja pati probleme edhe me trajnerin tek Sauthemptoni, Ralf Hazenhytl, por austriaku pati një bisedë të gjatë dhe serioze me të, siç tregojnë mediat duke zgjidhur mosmarrëveshjet.
Sfidanti.al