SHBA e femrave kalon “hirushen” Angli edhe pa rebelen Rapinou

Fitore e vogël për një sukses të madh. Kombëtarja e futbollit të femrave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u kualifikua edhe një herë tjetër për në ndeshjen fundore të një botërori, për në finale, dhe do të synojë një tjetër titull. Superfuqia e topkëmbës së vajzave arriti të kalonte, edhe pse me shumë vështirësi, “hirushen” e turneut francez, Anglinë, me shifrat 2-1, duke iu falur edhe portieres Alisa Neher, që priti në fund një penallti.

Në mungesë të njërës prej kapiteneve, rebeles Megan Rapinou, SHBA e nisi ndeshjen me “blickrig”, duke shënuar që në minutën e 9-të, me anë të asaj që zëvendësoi Rapinoun, Kristen Pres. Amerikanet, me futbollin e tyre agresiv tip-Barcelona apo tip-Liverpuli, kishin shënuar brenda 12 minutave të para në çdo ndeshje të këtij Botërori, dhe e bënë përsëri, këtë herë në stadiumin e Lionit. Gjithsesi, Anglia nuk u dorëzua, edhe pse në mungesë të portieres Karen Bardslej. Golshënuesja e dalluar Elen Uajt barazoi shifrat duke dhënë shpresë, por Aleks Morgan realizoi golin e fitores për SHBA-në.

Uajt shënoi një tjetër gol për Anglinë, por që u anulua me VAR, ndërsa 7 minuta para fundit, ajo u godit nga mallkimi i penalltive. Kapitenia Stef Hauton gaboi, ashtu siç kishte bërë dy herë gjatë Kupës së Botës edhe Nikita Parris, dhe ashtu siç kishte vuajtur kombëtarja e djemve që nga viti 1990. SHBA do të kërkojë tani titullin e 4-ët botëror, për të thelluar rekordin e vet.

Sfidanti.al