Serbia “pushton” volejbollin europian, pas vajzave, shpallen kampionë edhe djemtë!

U habitët që kombëtarja e një vendi të vogël doli kampione e Europës? Ishte e parakohëshme, sepse çfarë do të mendoni tani, kur Serbia fitoi edhe titullin kontinental në volejboll për meshkuj, pas atij të femrave? Vajzat triumfuan në Turqi, ndërsa djemtë ia dolën në Francë, dhe padyshim mund të quhen një nga fuqitë më të rëndësishme europiane të sportit të rrjetës.

Në një finale krejtësisht ballkanase, ashtu siç ishte edhe finalja e femrave, të përzgjedhurit e trajnerit Sllobodan Kovaç ishin më lart se Sllovenia, e papritura e madhe e turneut. Fitorja 3-1 respektoi parashikimet përsa i përket përvojës, pasi serbët luanin finalen e katërt, veçse nuk ishte aspak e lehtë.

Sllovenët ishin rival tepër i rrezikshëm siç e treguan kur eleminuan në çerekfinale Rusinë kampione të Europës, dhe në gjysmëfinale, Poloninë kampione të botës. Rezultatet e seteve ishin 19-25, 25-16, 25-18 e 25-20, në një sukses bindës.

Ngritja e volejbollit serb mund të quhet impresionues në dekadën e fundit, dhe me tre tituj gjithsej, është fuqia e tretë historike e Europës, lënë pas vetëm nga Rusia dhe Italia. Dhjetë fitore në dhjetë ndeshje ishte një bilanc i shkëlqyer në fazën finale. Edhe volejbollisti më i mirë i Europianit ishte i kampionëve të rinj, Urosh Kovaçeviç, 26-vjeçari që luan në Serinë A të Italisë me Trentinon. Medaljen e bronzit e fitoi Polonia që mundi Francën 3-0 në finalen e vogël.

Sfidanti.al