Seksizmi i Sarrit nuk është i huaj në kulturën seksiste të Italisë

Atje në Jug, në Siçili, gratë disi të pavarura quhen me përçmim “xitele (zitele). Po atje, në Siçili, ende kërcënohesh, të shkatërrohen të mbjellat, të vriten qentë e të helmohen qetë, por gjoba për këto “kundravajtje administrative” është vetëm 300 euro.

Nëse shkojmë edhe më në veri, në Romë apo Milano, nëse shikojmë politikën dhe gazetarinë e Italisë, vërejmë se femrat nuk ndodhen askund. Natyrisht, nuk janë fare pa të drejta, por janë shumë larg modelit të femrës amerikane, franceze, gjermane, angleze apo skandinave.

Në këtë ambient, në ambientin ku ish-kryeministri Silvio Berluskoni kishte më shumë lajme skandalesh me femra që i përdorte si harem dhe si karrem sesa për mbledhjet e qeverisë, nuk është fundi i botës që Mauricio Sarri ka bërë komente seksiste, pra që e ulin dhe e diferencojnë femrën.

“Ju jeni femër, jeni edhe e bukur, dhe për këto dy arsye unë nuk do t’iu dërgoj prapa diellit (ai tha një fjalë tjetër, që më mirë të mos e shkruajmë)”, – ishte shprehja e trajnerit të Napolit. Në të njëjtën të diel, veçse pak më herët, Xhenaro Gatuzo, trajneri i Milanit, iu përgjigj kështu ngacmimit të një gazetareje në studio se “sa herë e puthe gjyqtarin e katërt”: “Unë puthjet i kam për gruan time, ose për femrat e bukura, gjithnjë për t’i përshëndetur”!

Kjo është Italia, Europa jo plotësisht Europë, që shpesh na ngjan me Shqipërinë tonë, Italia ku 54 për qind e femrave nuk kthehen në punë pasi bëhen nëna. Natyrisht, ato gra nuk i lë pa punë Mauricio Sarri. Trajneri i Napolit, që natyrisht kërkoi falje për komentet e tij, thjesht i është përshtatur vendit, pasi siç thuhet “siç është vendi, bëhet edhe kuvendi”.

Sfidanti.al