Portieri i Cesena-s, Jonathan Klinsmann, djali i legjendës së futbollit gjerman Jurgen Klinsmann, ka marrë një thirrje historike në Kombëtaren e parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lajmi u konfirmua nga trajneri Mauricio Pochettino, i cili e ka përfshirë 27-vjeçarin në listën e grumbullimit që nis më 31 gusht në Morristown, New Jersey.
Kjo ftesë ka një rëndësi të veçantë, pasi vjen më pak se një vit para Kampionatit Botëror 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Kombëtarja amerikane, tashmë e kualifikuar si vend pritës, do të luajë dy miqësore përgatitore: më 6 shtator ndaj Koresë së Jugut në Sports Illustrated Stadium të Harrison, NJ, dhe më 9 shtator kundër Japonisë në Lower.com Field të Columbus, OH.
Klubi i tij, Cesena FC, reagoi me krenari për këtë arritje:
“Jemi jashtëzakonisht të lumtur për thirrjen e Jonathan në Kombëtaren e SHBA-së. Ky është një rezultat që reflekton talentin, punën e palodhur dhe përkushtimin që ai tregon çdo ditë me fanellën bardhezi. Është një moment emocionues jo vetëm për të dhe familjen e tij, por edhe për klubin tonë dhe tifozët,” – thuhet në deklaratën e klubit.
Ky hap i madh e vendos Klinsmannin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare dhe e forcon pozitën e tij si një nga portierët më premtues në prag të Botërorit.
sfidanti.al