Ishte natë angleze në atë stadium ku dy vjet më parë u shtua një tjetër kurorë europiane në historinë e lavdishme të kësaj skuadre. Liverpuli fitoi 3-2 në “Uanda Metropolitano” të Madridit ndaj Atletikos vendase, duke arritur suksesin e tretë radhazi në grup në Champions e duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit. Në 2019, në këtë stadium u fitua titulli i 6-të në Champions përballë Totenhemit, ndërsa këtë herë ishte më shumë spektakël, më shumë gola, por edhe më shumë polemika.
Trajneri i Atletikos, Diego Pablo Simeone, në fund u largua si i tërbuar drejt tunelit pa dëgjuar t’i jepte të paktën dorën Jurgen Klopit. Ai ishte i zemëruar sepse në fund, skuadrës së tij iu hoq pa të drejtë një penallti me anë të VAR-it, duke hedhur edhe më shumë dyshime nëse teknologjia po përdoret në mënyrën e duhur. Gjithsesi, edhe Liverpuli pati arsye për t’u ankuar më herët, pasi njëri gol i Antuan Grizmanit (i pari) mund të ishte anuluar. Francezi ishte në pozicion të rregullt, por jo Tomas Lemari i cili u duk se ndikoi tek Matipi. VAR-i ndërhyri përsëri dhe e quajti golin të rregullt. Fitorja bëri që Liverpuli të ketë 9 pikë në krye të renditjes me 3 fitore në 3 ndeshje, ndërsa Atletiko ka 4 pikë.
Sfidanti.al