Nga Lombardia gëzoi vetëm Interi, Milani në tapet, ndonëse shpreson!

Dy ekipet e kryeqendrës së Italisë së Veriut patën vërtet finale në këtë të martë të Championsit, por “klasën” e kaluan përgjysmë. Mund të qeshë vetëm Interi që triumfoi 3-1 ndaj Sherifit të Tiraspolit në “San Siro”, ndërsa Milani u rrëzua sërish në tapet, këtë herë në fushën e Portos. Zikaltërit e trajnerit Simone Inzagi provuan gëzimin e parë në kompeticionin më të madh të klubeve në botë, ndonëse fitorja nuk ishte aspak e lehtë.

Edin Xheko shënoi në 34’, por Sebastien Til barazoi në nisje të pjesës së dytë për ekipin nga Moldavia, apo nga Republika që e kanë shpallur vetë e Transdnistrisë. U desh reagimi i shpejtë dhe goli i Arturo Vidalit në 58’. Suksesi u sigurua shpejt, pasi në 67’ shënoi edhe qendërmbrojtësi Stefan De Vraj.

Po Milani? Nuk ka si bëhet më keq, dhe kjo tregon edhe një herë se Seria A nuk është aq e fortë sa dikur, dhe se vetë skuadra kuqezi nuk është aq e zonja dhe me aq shumë përvojë sa që të përballojë një “luftë në dy fronte”. Vjet, Interi u eleminua nga Championsi dhe doli kampion i Italisë, ndoshta këtë sezon radhën e ka Milanit. Porto fitoi 1-0 dhe rezultati duket pak për portugezët që shënuan në 65’ me anë të kolumbianit Luis Diaz, lojtarit që trajneri Pioli ia kishte frikën më shumë se kujtdo tjetër. Italianët, ndërkaq, nuk e vunë kurrë në vështirësi ekipin vendas, por fitorja e Liverpulit në Madrid ndaj Atletikos, i jep ende shpresë për mrekullinë.

Grupi D: Inter-Sherif 3-1, Shahtar Donjeck-Real Madrid 0-5; Renditja: Real 6 pikë, Sherif 6, Inter 4, Shahtar 1.

Grupi B: Porto-Milan 1-0, Atletiko Madrid-Liverpul 2-3; Renditja: Liverpuli 9 pikë, Atletiko 4, Porto 4, Milan 0.

Sfidanti.al