Është një kohë konflikti, tashmë jo ushtarak, por virologjik dhe shoqëror. Një pjesë e banorëve të planetit nuk duan që ta marrin vaksinën kundër koronavirusit, dhe debati është i ashpër bazuar mbi dy parime që shpesh përplasen, liria për të zgjedhur, dhe detyrimi për të mbrojtur veten e të tjerët. Novak Gjokoviç është rreshtuar në kampin e parë, në atë të kundërshtarëve të vaksinimit dhe ka deklaruar se nuk ka ndërmend të tregojë nëse është vaksinuar apo jo, apo nëse do të vaksinohet apo jo. Kjo mund ta bëjë që të rrezikojë pjesëmarrjen në Australian Open ku është kampioni në fuqi dhe rekordmeni i titujve. “Kështu siç janë punët sot, unë nuk e di nëse do të shkoj në Melburn, – deklaroi numri 1 i botës në tenis, – nuk kam ndërmend të zbuloj asgjë për veten time. Është një çështje private, dhe një hetim krejt i papërshtatshëm. Njerëzit këto ditë po shkojnë shumë larg me kërkesat e tyre dhe me gjykimet e tyre. Nëse do të jetë e detyrueshme, do të duhet të marr një vendim, por nuk e di se çfarë do të ndodhë”.
Sfidanti.al