Nja 250 vjet më parë, në Angli jetonte një burrë, pasioni i të cilit ishte të gjente kufijtë e lirisë. Ai quhej Xhon Uilkis, njeri në gjendje të mirë, rebel nga ata që quheshin “libertinë”, anëtar i parlamentit, por edhe i dënuar me burg. Kur Madamë dë Pompadur e Francës e pyeti Uilkisin se deri ku arrinte liria e shprehjes në Angli, ai iu përgjigj: “Zonjë, unë këtë po përpiqem të provoj”!
Sot, çerek mijëvjeçari pas Uilkisit, një portugez 30-vjeçar, po përpiqet të provojë kufijtë e lirisë në Europë, me provokimin e tij të madh, “Futboll Uikiliks” (Football Ëikileaks). Rui Pinto ka disa vjet që ka nxjerrë 70 milionë dokumente dhe informacione të fshehta, që zbuluan për publikun shkeljet dhe shmangiet nga taksat të yjeve të futbollit, pavarësisht nëse këta quheshin Kristiano Ronaldo, Lionel Mesi apo Zhoze Murinjo.
Ai është arrestuar në Hungari, në bazë të një kërkesë nga Portugalia, ku pritet të gjykohet për veprën penale të “shkeljes se sekretit dhe marrjes ilegale të informacionit”. Natyrisht, Rui Pinto mund të quhet një “haker”, pra një vjedhës kibernetik i informacionit, ndërsa nga ana tjetër ai mund të quhet një rebel në emër të ligjit, i cili është shkelur nga ata që ai “i vodhi”.
Publikimet e tij detyruan Parlamentin Europian të niste hetime për “epideminë e shmangies nga taksat” që nga shtatori 2017. Rui Pinto publikoi edhe historinë e Ronaldos me Majorgën në SHBA, si dhe zbuloi rolin kryesor të Xhani Infantinos për shpëtimin e PSG-së dhe Sitit, ndonëse ata kishin shkelur rregullat e UEFA-s.
Rui Pinto ndodhet në Budapest, në pritje ndoshta të ekstradimit, ndonëse e ka apeluar vendimin e gjykatës së shkallës së parë. Ai thotë se nuk i druhet gjyqit, por burgut në Portugali. “Ka pasur kërcënime të panumërta me vdekje për mua, sidomos nga tifozë të Benfikës, – thotë ai, – dyshoj se nëse burgosem në Portugali, posaçërisht në Lisbonë, nuk do të dal i gjallë nga burgu”. Në mbrojtje të tij kanë dalë tifozë në të gjithë Europën, sidomos në Gjermani, nga Dortmundi, Frajburgu apo Augsburgu. Në krah tij edhe profesori italian Pipo Ruso i Universitetit të Firences, që e quan jo një kriminel, por jo luftëtar për lirinë (vërshëllyes bilbili –Wistleblower në anglisht), nga ata që duhen mbrojtur me çdo kusht.
Sfidanti.al