Ronaldo vendos një rekord golash, por penalltia ishte “e lehtë”

Ia doli që ta realizonte atë që dëshironte, të paktën një herë të vetme. Kristiano Ronaldo e tregoi se te kombëtarja e Portugalisë e ndjen veten si në shtëpinë e tij, e çfarëdo që të ndodhë në ekipet e klubeve, ai e ka një “strehë” ku “të fusë kokën”. Me golin e shënuar për “luzitanët” ndaj Ganës në sfidën e parë të Kupës së Botës, legjenda e topit u bë i pari futbollist në histori që ka të paktën një rrjetë në 5 botërorë. E nisi në 2006, pastaj e vazhdoi në 2010, 2014, 2018 dhe tani në 2022. Sidoqoftë, 11-metërshi që e fitoi vetë mund të cilësohet si “i lehtë” dhe ganezët protestuan për të, madje shumë tifozë në rrjetet sociale theksuan se arbitri ishte me qëllim për të ndihmuar Ronaldon dhe Portugalinë. Gjithsesi, arritja e CR7-ës është e madhe, e madje ai u shpall lojtari i ndeshjes më pas. Asnjë futbollist nuk ka fituar më shumë çmime të tilla sesa Kristiano në historinë e botërorëve.

Sfidanti.al