Ronaldo humb penallti, i shpëton përjashtimit, por është i dyti!

Shkëlqimi i Kristiano Ronaldos në Botëror për pak përfundoi para kohe, ndërsa fati edhe ishte, edhe nuk ishte me të. Topi i Artë i futbollit përjetoi një mbrëmje të keqe në sfidën e fundit në grupin B ndaj Iranit, duke mos mundur të shënonte.

Ai e pati mundësinë, kur me fillimin e pjesës së dytë fitoi një penallti. Ishte minuta e 53-të, dhe gjyqtari u ndihmua nga VAR-i për të akorduar 11-metërshin, të cilin vetë Ronaldo e mori përsipër, por e humbi. Priti portieri iranian.

Më pas, në minutën e 83-të, VAR-i u bë kërcënues për Kristianon, pasi ai goditi një lojtar të Iranit, Morteza Puraliganjin. Gjyqtari ndoqi pamjet filmike të specializuara, por e kurseu yllin portugez, duke i dhënë karton të verdhë. Pati shumë që menduan se ai duhej përjashtuar.

Në përfundim, Ronaldo nuk arriti të shënonte gol, ndonëse u përpoq shumë, dhe mbetet në një kuotë shumë të mirë, me 4 të tillë pas 3 ndeshjeve (Mesi nuk ka asnjë). Gjithsesi, ai u detyrua të pranonte vendin e dytë, pas Spanjës, dhe tani Portugalia e tij duhet të matet me Uruguajin e Suarezit dhe Kavanit.

Sfidanti.al