River Plejti fiton Libertadoresin pas dramës së “Bernabeut”

U deshën 120 minuta dhe një finale e madhe për të përcaktuar fituesin e Kupës Libertadores. Në fund, triumfoi Riveri pasi u imponua 3-1 ndaj rivalit të përjetshëm, Boka Juniors, në stadiumin “Santiago Bernabeu” të Madridit, në finalen e parë të luajtur jashtë Amerikës Latine.

Boka kaloi e para në epërsi me anë të sulmuesit Dario Benedeto (44’). Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, por pas pushimit Riveri reagoi dhe barazoi në 68’, po me anë të sulmuesit kryesor, Lukas Prato. Në barazim 1-1 u mbyllën 90 minutat e rregullta dhe u desh koha shtesë, pasi në Kupën Libertadores nuk përdoret rregulli i golave në fushë kundërshtare.

Me të nisur shtesa, në minutën e 92-të ndoshta erdhi veprimi përcaktues kur gjyqtari nxorri me kartontë kuq (dy të verdha) lojtarin e Bokës, Barrios. Verdheblutë përballuan shtesën e parë në inferioritet, por nuk mundën në të dytën. Në 109’, Riveri kaloi në epërsi me një gol të shkëlqyer të kolumbianit Huan Kintero.

Boka nuk u dorëzua dhe goditi shtyllën në minutën e fundit shtesë, në të 120-ën, me portierin Andrada, edhe pse në 117’ mbeti me 9 lojtarë pas dëmtimit të Gagos. Në 122’, kundërsulmi i Riverit solli golin e tretë shënuar nga Gonzalo Martinez.

River Plejti: Armani, Montiel (Majada 74’), Maidana, Pinola, Kasko, Ponzio (Kintero 59’), Fernandez (Zukulini 112’), Palasios (Alvarez 98’), Perez, Martinez, Prato.

Boka Juniors: Andrada, Bufarini (Tevez 112’), Magajan, Izkerdoz, Olaza, Perez (Gago 89’), Barrios, Nandez, Pavon, Benedeto (Abila 63’), Vija.

Sfidanti.al