Rikthimi i madh i Nadalit, fiton titullin e 10-të në Paris!

Vitin 2017 mund të quhet pa gabuar aspak, si viti i veteranëve, tani që edhe “Rolan Garosi” u fitua nga njëri prej tyre. Rafael Nadal i dha fund rikthimit të tij nga “ferri” ku kishte përfunduar, duke triumfuar në Grand Slemin e Parisit, madje në një mënyrë madhështore. Spanjolli ka tani 10 tituj në “Rolan Garos”, duke rritur edhe më tej rekordin e tij personal, dhe duke u shkëputur nga legjenda amerikane, Pit Sampras, në numrin total të Çmimeve të Mëdhenj.

Sampras ka 14 tituj, ndërsa Nadal ka tani 15, duke qenë i dyti në renditjen e të gjitha kohëve, pas Rozher Federerit që ka 18. Pikërisht Federer ishte “plaku” tjetër i lavdishëm të tenisit që fitoi Grand Slem këtë vit, atë në Australian Open. Nadal u detyrua të pranonte humbjen në Melburn përballë zviceranit, por nuk i la asnjë shteg zviceranit tjetër, Stanislas Vavrinka.

Tenisti me origjinë polake nuk mundi të bënte asgjë përballë 31-vjeçarit, edhe pse ishte kampion i Parisit në 2015. Nadal trimfoi 3-0 me sete, madje me rezultate shumë të thellë: 6-2, 6-3 e 6-1. Pak finale mund të kenë qenë më të njëanshme se kjo.

Kampioni i madh spanjoll, që nuk humbi asnjë set në kryeqytetin e Francës, theksoi pas suksesit se “unë jap maksimumin në çdo turne, asgjë nuk mund të krahasohet me atë që ndjek këtu, dhe as nuk mund të krahasohet me diçka tjetër”. “Nuk kanë krahasim ndjenjat dhe adrenalina që ndjej këtu, – vazhdoi ai, – është ngjarja më e madhe në karrierën time”.

Sfidanti.al