Të gjithë pas Leon Goretzka-s, edhe Interi në garë

Pas eliminimit zhgënjyes nga Bodo/Glimt në Ligën e Kampionëve, Interi ka nisur të mendojë seriozisht për rindërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Një nga emrat që ka përfunduar në radar është mesfushori gjerman, Leon Goretzka, i cili pritet të largohet me parametër zero nga Bayerni në fund të sezonit.

Goretzka iu bashkua gjigantit bavarez në vitin 2018 dhe që atëherë ka regjistruar 295 paraqitje, duke realizuar 48 gola, shifra që tregojnë rëndësinë e tij në mesfushë. Sipas medieve gjermane, interesi për 30-vjeçarin është i madh. Që në janar, Arsenali provoi ta transferonte para kohe në Londër, por vetë lojtari refuzoi, duke respektuar fjalën e dhënë ndaj klubit bavarez për t’u larguar vetëm në përfundim të sezonit.

Megjithatë, “Topçinjtë” janë gati të rikthehen në sulm gjatë verës. Në garë janë edhe Tottenham Hotspur dhe Bayer Leverkusen, të cilat e shohin Goretzka-n si përforcim ideal për mesfushën.
Nga ana e tij, futbollisti gjerman dëshiron t’i japë përparësi një skuadre që luan në Ligën e Kampionëve, kriter që e plotësojnë si Arsenali, ashtu edhe Interi. Sidoqoftë, londinezët duket se janë një hap përpara, pasi Goretzka nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të provuar veten në Premier League.

Muajt në vijim pritet të jenë vendimtarë, ndërsa emri i Goretzkas parashikohet të jetë ndër më të përfolurit në merkato.