Futbolli europian po shfaqet më i fortë se kurrë në aspektin ekonomik. UEFA publikoi një raport krahasues për klubet, duke konfirmuar rritje rekord të të ardhurave dhe duke nxjerrë në pah ndryshimet në investime dhe burimet e fitimeve.
Sipas raportit, Real Madrid ishte klubi që arkëtoi më shumë gjatë vitit të kaluar, dyfish më shumë se Chelsea-t, i dhjeti në renditje, dhe katërfish më shumë se Crystal Palace, i 21-ti në listë. Në total, 25 klubet më të mëdha europiane grumbulluan 14 miliardë euro, duke lënë pothuajse gjysmën e fitimeve në duart e elitës europiane.
Në krahasim me ligat e tjera, futbolli spanjoll mbetet pas, me një mesatare të të ardhurave për klub prej vetëm 77 milionë eurosh, ndërsa klubet angleze arkëtojnë mesatarisht 265 milionë euro. Premier League vazhdon të kryesojë renditjen, duke lënë pas LaLiga-n, e cila tani renditet pas Bundesligës. Top-5 plotësohet nga Serie A dhe Ligue 1.
Raporti thekson gjithashtu ndryshimin në strukturën e të ardhurave: sponsorizimet dhe të drejtat televizive janë burimi kryesor, me rritje mesatare prej 59% për ligat kombëtare dhe 153% për kompeticionet europiane gjatë dekadës së fundit. Përfitimet nga transferimet kanë shënuar rritje edhe më të madhe, 211%, një shifër e lartë, por që duhet monitoruar për shkak të inflacionit, sipas presidentit të UEFA-s, Aleksander Čeferin.
Ky raport konfirmon se globalizimi i futbollit ka ndryshuar rrënjësisht tregun, duke e bërë futbollin një industri gjithnjë e më të pasur dhe konkurruese në nivel botëror.

