Revolucion i vërtetë te Milani! “Djalli kinez” ka një mal para…

Nën drejtimin e pronarëve kinezë, Milani po përjeton një revolucion të vërtetë, ndërsa “rosonerët” kanë, tani, një strukturë krejtësisht të re drejtuese dhe kanë marrë tre përforcime të reja brenda një muaji. Sapo klubi milanez kaloi në duart e investitorëve nga Lindja e Largët, menjëherë, u shkarkua njeri nr.1 i klubit, Adriano Galiani, dhe në vend të tij u vendos Marko Fasone. Drejtori i ri ekzekutiv i përgjithshëm ka bërë ndryshme të mëdha në strukturën drejtuese të klubit. Ai ka angazhuar Masimo Mirabelin si drejtor të ri sportiv dhe ka vendosur Andrea Romeon si menaxher të ri të ekipit, ndërsa Antonio D’Otavion e ka caktuar si një përgjegjës për skautët (agjentët).

Milani, tani, ka edhe një mjek të ri, Xhanluka Melegati, ndërsa është ndërruar edhe trajneri i ekipit rezervë. Legjenda Xhenaro Gatuzo do të përgjigjet për ekipin e të rinjve (Primavera). Krahas ndryshimeve në strukturën drejtuese, janë sjellë edhe tre përforcime të reja: Mateo Musakio nga Vilareali, Frank Kesi nga Atalanta dhe Rikardo Rodrigezi nga Volfsburgu. Por, Milani do të vazhdojë që të sjellë edhe përforcime të tjera dhe, si objektivë, janë Biglia dhe Keita të Lacios, si edhe Konti dhe Gomesi të Atalantës.

Sfidanti.al