Akuza është serioze, dhe nuk mund të hidhet poshtë aq lehtë. Roberto Karlos mund të ketë marrë substanca të ndaluara, madje në një moment të madh për Brazilin e tij, në Kupën e Botës të vitit 2002. Goditja (ende jo e vërtetuar) vjen nga Gjermania, skuadra e futbollit e së cilës luajti përballë brazilianëve në finalen e atij Botërori, dhe humbi. “Gjëja” bëhet serioze sidomos për shkak të emrit të gazetarit hetues (investigativ) që ka krijuar një dokumentar pikërisht për Brazilin dhe dopingun. Gazetari quhet Hajo Zepelt (Seppelt), i njëjti që bëri dokumentarin për dopingun në atletikën ruse.
Zepelt thotë se kanë qenë të paktën dy futbollistë të Brazilit që kanë marrë doping, dhe se njeriu që ka siguruar substancën e ndaluar ka qenë doktori Zhulio Sezar Alvesh, që dyshohet se ka furnizuar me doping dhjetëra yje brazilianë të sporteve të ndryshëm. Zepelt ka folur me atleten e mëparshme të kombëtares së Brazilit Elianë Pereira, që ka pohuar se ka marrë produkte dopingu nga Alveshi që në moshën 17-vjeçare.
Nga Brazili vjen një konfirmim, qoftë tërthorazi, pasi ish-kreu i Antidopingut, Marko Aurelio Klein, i tha Zepeltit një dosje me deklarime të sportistëve për takimet me doktor Alveshin, është dorëzuar në prokurori në 2015. Roberto Karlos, ndërkaq, i ka hedhur poshtë fuqimisht këto akuza.
Sfidanti.al