“Djajtë e kuq” zhgënjejnë, 29 shuta në portë, por vetëm dy gola!

Përfaqësuesja e Belgjikës, në fakt, lëshoi në drejtim të portës së Estonisë plot 29 shuta, por, sidoqoftë, futbollistët e ekipit vizitor (Belgjikës) “derdhën djersë e mund”, deri sa e mposhtën portierin e ekipit vendas (Estonisë), Mihel Askalu, që ishte, dje, në një formë mjaft të mirë. Sidoqoftë, “djajtë e kuq” u kthyen nga Talini me tri pikë në “bagazhin” e tyre, por, megjithatë, trajneri Roberto Martinez duhet të jetë i shqetësuar për lojën që treguan në fushë të zgjedhurit e tij.

Belgjika, gjatë të gjithë pjesës së dytë, luajti me një lojtar më tepër, por, megjithatë, ajo vuajti që të krijonte shanse 100 përqindshe dhe, më shumë, e goditi portën kundërshtare nga distanca. Statistikat tregojnë se futbollistët vizitorë lëshuan në drejtim të portës estoneze 29 shuta, nga të cilët tetë u bllokuan, nëntë përfunduan jashtë portës, 12 në kuadratin e portës dhe vetëm dy në rrjetën e portës kundërshtare. Goli i parë u shënua në min. e 34-t nga Mertensi, kurse ai i dytë nga Shadli në min. e 86-të.

Sfidanti.al