Futbolli shqiptar, pasqyrën na i tregon UEFA

Futbolli shqiptar prej vitesh në krizë? Një temë që ndan idhtarët (e pakët) të njerëzve që drejtojnë lojën sot në vend, përballë shumicës ku perceptimi është pikërisht ky: futbolli në vend është saktësisht në epokën e post-komunizmit e ndoshta edhe më i dërrmuar. Sot stadiumet janë bosh, studiot e televizionëve me analistë polemikash, plot. Ironike po të mendosh që një pjesë e madhe e tyre i përcjellin ndeshjet nga kolltuku apo edhe më keq, i perceptojnë me shqisën e gjashtë pasi nuk kanë kohë e as durim e dëshirë t’i ndjekin.

Janë pikërisht këta njerëz që i bashkohen armatës së vogël të mbrojtësve fanatikë të kështjellës së fundit që na ka mbetur me seli pranë liqenit artificial. Gjithsesi, për të evituar polemikat e kota me shkrime të gjata statistikore që përfshijnë analiza dhe trajtojnë ngjarje të shëmtuara, mjafton të hedhim një sy nga klasifikimi i 55 vendeve të UEFA-s në bazë të arritjeve të klubeve, për të kuptuar qartë se në çfarë derexheje e kemi katandisur lojën tonë. Renditja e 19 shkurtit e vendos Shqipërinë saktësisht në vendin e 44 duke lënë pas Maqedoninë e Veriut që gjithsesi përfaqësohet me një skuadër në fazë grupesh dhe shumë shpejt mund të na parakalojë pa shumë vështirësi. Vende modeste si Lihtenshtejni, Ishujt Faroe Malta, Moldavia, Islanda e shumë të tjera qëndrojnë sigurisht më lart, ndërsa Kosova tashmë na I ka treguar targën. Në këtë rast janë faktet që flasin e ato bërtasin qartë: ja ku renditet Shqipëria.

Sfidanti.al