“Revolucioni” i Realit në fushën e Betisit, nga një ish-i Betisit

Santiago Solari e pati kokëfortësinë që mund ta bëjë një trajner të madh. Tekniku i Realit nuk deshi të dëgjonte askënd për të hedhur në fushë Iskon apo Marselon, por vendosi që të aktivizonte Dani Sebajosin. Mesfushori 22-vjeçar hyri në ndeshje në minutën e 74-ët, dhe ishte pikërisht ai që i dha të drejtë trajnerit, duke shënuar golin e fitores 2-1 në fushën e Betisit, kur kishin mbetur edhe vetëm 2 minuta lojë.

Menjëherë pasi shënoi, ai pati gjestin instinktiv për t’i kërkuar falje tifozëve që, dikur ishin tifozët e tij, pasi Sebajos luajti për Betisin në vitet 2014-2017 (dhe po ashtu u formua në akademinë e këtij klubi në 2011-2014).

Gazeta “Marka” e cilësoi fitoren në stadiumin e Betisit si një “revolucion i udhëhequr nga një ish-betiko”. Reali nuk e pati aspak të lehtë, ndonëse shënoi i pari me anë të Luka Modriçit në minutën e 13-të, por pastaj vuajti për 50 minuta lojën më të mirë të vendasve. Betisi bëri presion dhe pati topin në zotërim, por skema e Solarit ishte “bunker”, me 3 mbrojtës (të qendrës) dhe dy lojtarë të krahut, që ktheheshin prapa apo që ndihmonin sulmin.

Mungesat ishin të shumta, plot 6, ndërsa u dëmtua edhe Benzema, por s’mund të thuhet se skuadra e sotme madrilene nuk mund të ketë alternativa. Pësoi gol nga Kanales (i dhënë nga VAR-i), ndërsa ia doli të fitonte dhe të ngjitej në vendin e katërt me 33 pikë, po aq sa Sevilja e vendit të tretë, pra të jetë në zonën Champions.

Sfidanti.al