Reali ka dështuar tri herë me Nejmarin, do t’ia dalë më në fund?!

Ishte viti 2013 dhe Barcelona fitoi një “El Klasiko” të madh ndaj Realit, duke marrë Nejmarin nga Santosi. Në 2017, ishte mundësia që Madridi të hakmerrej, pasi braziliani deshi largimin nga “Kamp Nou” dhe ia arriti qëllimit, por duke përfunduar në Paris. Vitin e kaluar, zërat ishin të fortë se presidenti Florentino Perez do të bënte çmos për të rrëmbyer sulmuesin nga PSG pas largimit të Kristiano Ronaldos, por sërish nuk ndodhi asgjë.

Kjo është hera e katërt që në “Bernabeu” po përpiqen për Nejmarin, dhe shpresojnë se janë në pozicion të mirë. Për momentin, është Barcelona që po diskuton me parizienët, por duke mos pasur as paratë e duhura, dhe as lojtarët e duhur interesantë. Reali, sipas gazetës “Marka”, pret që të përfundojnë “fishekët” e katalanasve, dhe që këta të fundit të propozojnë huazimin këtë vit, për ta marrë kartonin vitin tjetër. Në atë moment, madrilenët pritet të ndërhyjnë me ndonjë ofertë të madhe. Nga 250 milionë euro që mund të kushtojë “Ney”, 100 apo 120 milionë duhet të jepen “para në dorë”, ndërsa PSG pëlqen Vinisiusin, Kurtuanë dhe Kasemiron, të cilët Reali nuk i jep. Gjithsesi, presidenti Perez nuk dëshiron të shohë një Barcelonë me vijë sulmi të përbërë nga Mesi, Suarezi, Grizmani e Nejmari.

Sfidanti.al