Ky klub parisien, mbas një loje mbizotëruese në të gjithë drejtimet, arriti një fitore bindëse 3-0 ndaj një ekipi jo të çfarëdollojshëm, por ndaj vet Bajernit gjigant të Mynihut, kështu që futbollitët e “të shenjtëve” kanë të drejtë që ta shohin me mjaft optimizëm të ardhmen. “Historia jonë sapo ka filluar. E dimë se ne luajtëm mjaft mirë kundër një ekipi të madh, por ky është vetëm fillimi. Shpresat tona janë të mëdha, sigurisht, duke pasur parasysh edhe transferimet që ka realizuar PSZH-ja. Ne jemi këtu që të fitojmë çdo ndeshje”, deklaroi Mbape 18-vjeçar. Nuk ishin më pak optimiste fjalët e mesfushorit italian, Marko Verati, që tha: “Kiliani është i jashtëzakonshëm dhe kini parasysh se ai është vetëm 18 vjeç. Ne përpiqemi që ta mbështesim atë. Fitorja kundër Bajernit na ka dhënë krahë”.
Kapiteni i PSZH-së, Tiago Silva, nga ana e tij, konsideron se ekipet e tjerë duhet të kenë respekt ndaj ekipit francez: “Ne, çdo vit, bëhemi edhe më të mirë. Me Mbapen dhe Nejmarin, ne do të arrijmë shumë. Ekipet e tjerë duhet të na respektojnë”, tha ai.
Sfidanti.al