Ku po ju çon mushka e babëzisë, 130 euro për të parë Kombëtaren

Sikur ta dinin tifozët e Bajernit të Mynihut sesa kushton bileta më e shtrenjtë dhe më e lirë për të parë Kombëtaren e Shqipërisë, atëherë, me siguri, do të kërkonin falje për gjestin e tyre protestues. Madje do të na e kishin falur me gjithë shpirt pankartën e tyre që bëri bujë. Ajo që provokoi më shumë mbresa,  sesa vetë  spetakli i Mbapes, Nejmarit dhe Kavanit në portën e Bajernit, ishte një pankartë sfiduese, ku shkruhej me të mëdha “ Ne nuk jemi Nejmar”.  Arsyeja ishte europiane dhe jo shqiptare: kishin prerë biletën më të shtrenjtë për të parë ekipin e zemrës…75 euro! Nga doli ky çmim? Të gjithë fajin e ka Nejmar, shpjegojnë francezët, duke kujtuar botën  se një mal me para avulluan, afro 400 milionë euro,  vetëm  për dy sulmues,  që do shfaqeshin në  një stadium, i cili, vetëm tani, e   meriton plotësisht emrin “Parku i Princave”. Një ditë, qoftë e largët,  vetëm princat do ta shijojnë cirkun e shfrenuar me top..

Kur gjermanët që krenohen  për pushtetin në futboll, madje edhe më shumë për ekonominë sfiduese, qahen për çmimin e biletave,  çfarë duhet të bëjnë shqiptarët unikalë në varfëri, kur  një biletë në tribunë e blejnë  130 euro! Aq sa i vjedh rrogën mujore  punëtorit, ndërsa shumicës i gllabëron “vetëm”..gjysmën e saj. Pale  bileta më e lirë, edhe ajo s’ta kursen portofolin, kushton sa tribuna në ndeshjen e Strumicës, 10-15 euro.  Gjermanët e Bavarisë, ata që përmbytin me birrë tërë botën në muajin tetor, i dorëzohen logjikës kur protestojnë   “ Ne nuk jemi Nejmar”, kurse shqiptarët nuk e kanë zakon t’i dorëzohen as logjikës e as portofolit të lodhur, edhe pse janë të bindur se futbolli i Kombëtares tyre është mjaft i lirë në fushë dhe tejet i shtrenjtë në biletari.

Aq sa duhet të gëzohesh kur i shikon pertej kufirit. Kujtoni ndeshjen në Palermo, prapë Italia  ishte, po  futeshe në stadium pa u ndjerë i vjedhur.  Apo kur kujton se Spanja e madhe, ndersa luajti me Italinë në fushën e saj,  uli çmimet e biletave, vetëm e vetëm që stadiumi të mbushej plot dhe lojtari i 12-të të “luante” përkrah Iniestës. Ky lojtar ka vite që është “vrarë” në stadiumet tona edhe pse kërkojmë ta mbajmë gjallë me frazën e spikatur të hipokrizisë se “ kemi tifozerinë më të bukur në botë”.

Apo ajo tjetra që të merr për budalla “ E doni Kombëtaren, paguani se kjo është familja e juaj e vertetë”.

 

Gezim Sinemati

Botuar ne gazeten Panorama Sport