Titulli në Angli, çështje e Mançesterit, Siti apo Junajtid?

Favorit kanë vendosur Sitin, por pretendimet i ka të mëdha edhe Junajtid. Mançesteri blu dhe Mançesteri i kuq kanë pushtuar garën për titullin kampion në Angli, sidomos tani, pas një të shtune dramatike në ishull. Më herët, Mançester Junajtid vazhdoi ngjitjen e tij drejt lavdisë me suksesin 4-0 ndaj Kristal Palasit. Edhe pa Pogbanë, dhe me Ibrën ende “në ëndërr”, skuadra e Murinjos e pati shumë të lehtë, aq sa trajneri i londinezëve, ish-shefi i Anglisë, Roi Hoxhsoni, pohoi: “Ne ishim si një boksier që lufton në një kategori ku e ka të pamundur të garojë”. Huan, Mata, dy herë Maruan Felaini dhe një herë Romelu Lukaku, ishin autorët e golave. Në 7 javë, Junajtid ka 6 fitore e një barazim, ka shënuar 21 gola e ka pësuar vetëm 2.

Në vend të parë, gjithsesi, është Siti. Formacioni i Guardiolës e ka, për momentin, këtë favor, vetëm sepse ka shënuar 1 gol më shumë: 22-2. Ky ishte goli i Kevin De Brujnit, që tronditi ish-skuadrën e tij, ndërsa “Qytetarët” arritën fitoren më të madhe të sezonit, 1-0 në fushën e një rivali për titull, të kampionit në fuqi, Çelsi. Pas ndeshjes, Konte i lavdëroi lojtarët e tij që dhanë maksimumin, veçse mediat angleze menjëherë shkruan se “Siti ishte në një nivel tjetër me Çelsin”. Nëse je në një nivel tjetër me kampionët, padyshim që duhet të jesh favorit. Guardiola u kënaq që fitorja u arrit pa Kun Agueron e dëmtuar, apo ashtu pa Benzhamin Mendinë, të dëmtuar.

Sfidanti.al