Ajo që po ndodh pranë tyre nuk është shumë inkurajuese. Milani e Napoli ndeshen sonte në Serinë A, ndërsa këtë javë rivalët arritën fitore. Interi shkoi në 43 pikë pas suksesit 5-0 në fushën e Salernitanës, ndërsa Juventusi bëri një hap përpara me fitoren 2-0 në Bolonjë, dhe ish-kampionët janë një kundërshtar që duhet futur gjithnjë në llogari. Për më tepër, afrohet edhe Roma e Zhoze Murinjos që arriti një fitore të madhe 4-1 në stadiumin e Atalanës.
E keqja është që as Milani dhe as Napoli nuk vijnë në përballjen e “San Siros” në orën 20:45 në formën më të mirë. Kuqezinjtë mezi barazuan 1-1 në fushën e Udinezes. Trajneri Stefano Pioli ka edhe probleme me dëmtimet pasi mungojnë Kalabria, Kjer, Rebiç dhe Leao.
“Ne nuk po luajmë kundër të tjerëve, por po bëjmë garë së pari me veten tonë, – tha ai, – e vërteta është që dy ndeshjet e fundit, ndaj Liverpulit dhe Udinezes nuk ishin nga më të mirat për ne, ndaj duhet të ndryshojmë për të arritur fitoren. Duhet të kthehemi ata që ishim më parë, aq më tepër sepse përballë do të kemi një kundërshtar shumë të fortë”.
Napoli është në krizë më të thellë, ndërsa ka zbritur në vendin e katërt në renditje. Dy humbjet radhazi kundër Atalantës dhe Empolit shoqërohen me mungesat Osimhenit, Insinjes, Kulibalisë, Fabian Ruizit dhe Mario Ruit. “Ka momente në futboll, ashtu si në jetë kur ndeshesh me probleme të mëdha, – thotë trajneri Spaleti, – ndonjëherë nuk ke mundësi t’i shmangësh problemet, ndaj duhet të luftosh fort që t’i përballosh. Ne kemi objektivat tona dhe do të ndeshemi me Milanin për të kaluar momentin e vështirë. Le të mos mendojmë mungesat, ta fitojmë ndeshjen me këta që kemi”. Interi ka 43 pikë ndaj 39 të Milanit, ndërsa Napoli shpreson të kalojë Atalantën duke pasur 36 pikë ndaj 37 të bergamaskëve.