Man. Siti nuk ndalet, por Çelsin nuk po e lë Kovidi të luftojë në Angli!

Tabloidi britanik, “Deili Meil” pati një batutë lidhur me ndeshjen Njukasëll-Mançester Siti në Premier Ligën angleze. “Një derbi i Gjirit (Persik)? Jo më e saktë të thuhet një “gji diference”! Në shqip ndoshta përkthimi nuk mund ta japë aq qartë kontrastin në krahasim, siç e ka shprehja në anglisht (The Gulf derby? Gulf in class), por e vërteta është që Njukasëlli i sotëm nuk ka të krahasuar me Sitin edhe pse të dy klubet zotërohen nga sheikë të Gjirit Persik.

Skuadra e Pep Guardiolës triumfoi 4-0 ndaj “laraskave” madje në “Sent Xhejmsis Park” pas golave të shënuar nga Ruben Dias, Zhoao Kanselo, Rijad Mahrez dhe Rahim Stërling. Tashmë, Siti ka 44 pikë duke qenë i sigurt në krye të renditjes, ndërsa Njukasëlli ka vetëm 10, baraz me Noruiçin e vendit të fundit. “Ne jemi më të pasur sesa ju”, këndonin tifozët vendas, ndoshta duke harruar të shkretët se krahasimi në pasuri nuk bëhej me tyre dhe tifozëve rivalë, por mes sheikëve.

Ndërkaq, ndërsa Siti marshon, nuk mund të thuhet kjo për Çelsin. Kampionët e Europës janë në një “greminë” të vërtetë për shkak të problemeve me Kovidin. Mungesat e shumta i dënuan edhe në ndeshjen në stadiumin e Uolvesit, “Molino” që përfundoi 0-0, madje vendasve iu anulua një gol nga VAR-i. Gjithsesi, kampionët e Europës kishin aq lojtarë në fushë sa për të marrë fitoren si Mendi, Azpilikueta, Silva, Rydiger, Xhejms, Kante, Saul, Alonso, Maunt, Pulishiç, Zijeç apo Kovaçiç. Siti ka 44 pikë ndaj 38 të Çelsit.

Sfidanti.al