Tre nga ekipet që zbresin në fushë ishin gjysmëfinalistë vitin e kaluar. Imagjinohet lehtë sesa interesante do të jetë mbrëmja e sotme në Ligën e Kampionëve, dhe shpresa është e madhe që të përsëritet spektakli i duelit të javës së tyre, Liverpul-Salcburg. Kampionët në fuqi të Europës do të shkojnë në Belgjikë përballë Genkut, një kundërshtari të lehtë në letër.
Të besuarit e trajnerit Jurgen Klop nuk është se kanë bindur 100 për qind së fundmi, pasi mezi fituan 4-3 ndaj Salcburgut, si dhe me shumë vështirësi morën pikën në Premier Ligë në fushën e Mançester Junajtidit. “Duhet të luajmë më mirë jashtë fushës sonë, – tha Klopi, – vjet i humbëm të treja ndeshjet në grup, dhe u kualifikuam, por këtë vit nuk mund të rrezikojmë. Gjithsesi, ne jemi optimistë pasi kemi qenë shumë mirë këta vjet në Champions”.
Një ekip që duket shumë në formë është Barcelona. Pas suksesit në ndeshjen e kaluar në Champions ndaj Interit, katalanasit dolën në krye të ligës spanjolle me fitoren në fushën e Eibarit, dhe trajneri Ernesto Valverde shpreson që ky moment të vazhdojë, edhe ndaj Sllavias së Pragës. Suarez, Mesi e Grizman janë të frymëzuar, ndërsa mungesat në Çeki janë të pakta, vetëm Sergi Roberto e Samuel Ymtiti të dëmtuar.
“Do të jemi përballë një rivali të rrezikshëm që luan futboll dhe nuk trembet, – tha Valverde, – nuk dua të mendoj se jemi favoritë, edhe pse sulmi ynë është shumë i mirë. Mesi, Suarez dhe Grizman mund të jenë titullarë”.
Dueli më i fortë i mbrëmjes luhet në Amsterdam. Ajaksi pret Çelsin në “Arenën Johan Krujf”, dhe ka shumë kërshëri të shihet kjo përballje anglo-holandeze. Vendasit, gjysmëfinalë të vjetshëm në Champions, janë sërish të fortë edhe pse iu larguan dy lojtarët më të mirë si De Ligt e De Jong, duke pasur dy fitore në dy ndeshje. “Atmosfera jonë është shumë e mirë, dhe mezi presim t’i luajmë këto ndeshje, – tha shprehet Ten Hag, – më vjen keq vetëm për ndërprerjen për shkak të kombëtareve. Çelsi është rival i fortë, do synojmë vetëm fitoren”.
Londinezët e kanë marrë veten nën drejtimin e legjendës Frenk Lampard, një trajner pa përvojë, por me personalitet të madh. Gjithsesi, Çelsi ka vetëm tri pikë dhe nuk dëshiron humbjen. “Do të luajmë në një stadium historik, ndaj një rivali historik, – tha Lampardi, – nuk e kemi frikë Ajaksin, thjesht e respektojmë. Nuk do të jetë e lehtë, por duhet të tregojmë veten”. Anglezët duan vazhdimësi pas tri fitoreve radhazi në Premier Ligë.
Sfidanti.al